Berati: Një model i suksesshëm i menaxhimit të integruar të mbetjeve në Shqipëri

Një qytet historik në Shqipërinë qendrore, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Berati është shndërruar në një destinacion gjithnjë e më të vizituar dhe të kërkuar nga turistët e jo vetëm. I shtrirë përgjatë brigjeve të lumit Osum, ky qytet i periudhës osmane përbën një labirint të vërtetë kulturor dhe historik në vendin tonë.

Urban Research Institute, në partneritet me Brooks Hannas & Partners (Serbi) dhe me financimin e Agjencisë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SIDA) dhe në bashkëpunim me Bashkinë Berat, me një buxhet total prej 1.5 milionë eurosh (nga të cilat 700 mijë euro të financuara nga SIDA) zbatoi projektin “Ndarja në burim e mbetjeve shtëpiake në Bashkinë Berat”, i cili u lançua në maj 2021.

Ky projekt, tashmë me rezultate të konsoliduara në fushën e menaxhimit të mbetjeve, ka evidentuar një ndikim konkret dhe një model të suksesshëm ndërhyrjeje në nivel lokal.

Banorët dhe vizitorët e qytetit të Beratit tashmë përfitojnë nga një shërbim i ri dhe i përmirësuar përmes menaxhimit të integruar të mbetjeve. Një sistem funksional dhe i aksesueshëm mundëson që mbetjet e riciklueshme, si letër dhe karton, plastikë dhe metale, të hidhen në kontejnerët dhe koshat blu dhe të grumbullohen përmes një kamioni të dedikuar, për t’u transportuar më pas në qendrën e ndarjes. Në këtë qendër, materialet kontrollohen, paketohen dhe përgatiten për riciklim. Ndërkohë, mbetjet e përziera të pariciklueshme hidhen në kontejnerët me ngjyrë jeshile dhe dërgohen në venddepozitim.

Vetëm në vitin e parë të zbatimit (2021–2022), një anketim i realizuar në bashkëpunim me kompaninë “Berati ndan mbetjet”, në pronësi të Bashkisë Berat rezultatet tregojnë një impakt të konsiderueshëm: nga 411 familje dhe biznese të vogla të anketuara, 54.2% e tyre e konsiderojnë menaxhimin e mbetjeve një prioritet shumë të rëndësishëm për bashkinë, ndërsa 94% besojnë se ndarja dhe riciklimi i mbetjeve mund ta bëjnë Beratin më tërheqës për turistët.

Është e rëndësishme të theksohet se bizneset, shkollat dhe institucionet kanë qenë pjesë thelbësore e kësaj iniciative, duke u pajisur me kontejnerë të veçantë dhe duke u përfshirë aktivisht në procesin e ndarjes së mbetjeve në burim. Në kuadër të projektit janë angazhuar 14 biznese, të cilat kanë kontribuar drejtpërdrejt në zbatimin e sistemit.

Urban Research Institute, së bashku me partnerët, ka zhvilluar një sërë fushatash ndërgjegjësuese dhe informuese në terren. Janë realizuar përmes takimeve derë më derë në zonat kryesore të qytetit, shpërndarjes së materialeve informuese dhe organizimit të trajnimeve specifike mbi ndarjen e mbetjeve në burim. Përtej kësaj, projekti është shoqëruar me monitorim të vazhdueshëm dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për përfituesit e qytetit të Beratit.

Ndërmjet Janarit dhe dhjetorit 2025, shuma totale e mbetjeve të mbledhura në Berat ishte 16,920.67 ton, ku 16,747 ton u mblodhën dhe u çuan në landfill. Pjesa e mbetur prej 173 tonësh u mblodhën për tu ndarë në burim, si materiale të riciklueshme.

Prej tyre 146 tonë u shitën nëpërmjet një procesi ankandi, në dy faza, në qershor 2025 duke përfituar rreth 9 mijë euro dhe në dhjetor 2025 duke përfituar 11 mijë euro. Dhe po ashtu 9 tonë plastikë u shitën në një tjetër ankand për rreth 2800 euro.

Në total u mblodhën rreth 23 mijë euro nga shitja e materialeve të riciklueshme të mbledhura nga plehrat. Sipas informacioneve të bashkisë së Beratit, këto para u riinvestuan për pastrimin e qytetit.

Bashkia Berat, nëpërmjet kompanisë “Berat City Green” në pronësi të saj, rezultoi e suksesshme në operimin e këtij sistemi. Të ardhurat e gjeneruara u riinvestuan drejtpërdrejt për përmirësimin e shërbimeve publike.
Berati qëndron si një histori suksesi, ku përfshirja e ekspertizës së shoqërisë civile, e niveleve vendore dhe qendrore të qeverisjes, si dhe e vetë qytetarëve, ka vendosur themelet për një qytet më të pastër dhe për një Shqipëri më të përafruar me standardet e Bashkimit Europian.

March 24, 2026