“Berati Riciklon”: standard i ri për menaxhimin e mbetjeve 

“Berati Riciklon” po konsolidohet si një histori suksesi dhe model i replikueshëm për ndarjen e mbetjeve në burim, jo vetëm për rezultatet konkrete, por sepse ka vendosur një standard të ri se si ndërtohet riciklimi si shërbim publik: i organizuar, i mirëmbajtur, i matshëm dhe i lidhur me tregun. Në një sektor ku shpesh dominon depozitimi dhe zgjidhjet afatshkurtra, ky model po shërben gjithnjë e më shumë si referencë për bashki të tjera në vend dhe për aktorë rajonalë.

Pse kjo përvojë po shihet si standard

Menaxhimi i mbetjeve mbetet një nga sfidat më të prekshme të qeverisjes vendore dhe të cilësisë së jetës në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në vitin 2024 u menaxhuan 862,241 ton mbetje, me një gjenerim mesatar prej 360 kg për banor. Tabloja e trajtimit të tyre tregon se sistemi vijon të mbështetet kryesisht te depozitimi: 76.3% e mbetjeve përfunduan në landfill, ndërsa 18.8% u ricikluan dhe 4.9% u trajtuan përmes djegies me rikuperim energjie.

Në këtë kontekst, standardi që po vendos “Berati Riciklon” lidhet me faktin se nuk e trajton ndarjen në burim si iniciativë sporadike, por si shërbim me rregulla të qarta, kapacitete operacionale, mekanizma mirëmbajtjeje dhe një zinxhir funksional për materialet e rikuperuara. Ky është dallimi që e bën modelin të transferueshëm.

Rezultate që e mbështesin besueshmërinë e modelit

Përvoja e Beratit po e kthen ndarjen në burim në material realisht të vlefshëm për riciklim, duke krijuar besim te qytetarët dhe te institucionet. Deri më sot janë arritur rezultate konkrete:

  • 140+ ton karton të rikuperuar
  • 8.5+ ton plastikë të shitura

Kartoni i shitet kompanive që prodhojnë ambalazhe kartoni (kuti), ndërsa plastika shitet operatorëve që e përpunojnë dhe e kthejnë në lëndë të parë. Kjo lidhje direkte me tregun është një nga elementët që e bën sistemin të qëndrueshëm dhe të besueshëm: materiali i ndarë nuk “humbet” në zinxhir, por kthehet në produkt ekonomik.

Vizita studimore e 29 janarit 2026: kur standardi u pa nga afër

Një moment i rëndësishëm në konsolidimin e kësaj përvoje ishte vizita studimore e 29 janarit 2026, me përfaqësues të ambasadave suedeze në rajon, ku u prezantua sistemi i ngritur dhe funksionimi i tij në praktikë. Vizita u fokusua te mënyra konkrete se si shërbimi është ndërtuar dhe si ruhet cilësia e tij në kohë, përtej fazës pilot.

Gjatë diskutimeve u trajtuan elementët që e bëjnë modelin të riprodhueshëm: organizimi “derë më derë”, edukimi i vazhdueshëm i qytetarëve dhe bizneseve, si dhe mekanizmat për mirëmbajtjen e sistemit. U theksua se shërbimi nuk mbështetet te veprime të përkohshme, por është integruar në shërbimet vendore dhe mirëmbajtja e tij financohet përmes taksës së pastrimit, duke garantuar vijueshmëri operacionale.

Gjatë takimit me kryetarin e Bashkisë Berat z.Ervin Ceca, u mësua se ky model ka tërhequr vëmendjen e Bashkisë së Përmetit që interesohet për replikimin e tij. Ndërsa u evidentua gjithashtu interes ndërkombëtar nga Republika e Armenisë dhe u lajmërua një tjetër vizitë studimore e udhëhequr nga OSBE, e fokusuar në mënyrën e organizimit të shërbimit, dokumentimit të rezultateve dhe lidhjes së ndarjes në burim me zinxhirin e tregut.

Si u ndërtua modeli dhe kush e bëri të mundur

Modeli u financua nga Sida/Ambasada Suedeze dhe u drejtua nga Brooks, Hannas & Partners (Serbi), me Urban Research Institute (URI) si partner zbatues dhe me mbështetjen e Bashkisë Berat për organizimin e shërbimit në nivel lokal. URI kontribuoi në hartimin e metodologjisë së ndarjes në burim, asistencën teknike dhe ndërtimin e kapaciteteve për autoritetet vendore dhe kombëtare (menaxhim, replikim dhe monitorim të rrjedhës së materialeve), si edhe në paketën e komunikimit publik për të mbështetur prezantimin, zbatimin dhe ndjekjen e modelit.

Për zbatimin operacional, Bashkia Berat krijoi shoqërinë BERAT CITY GREEN – BCG SH.A, si strukturë që administron shërbimin dhe qendrën e selektimit, si dhe organizon proceset e rikuperimit dhe daljes së materialeve në treg.

Çfarë mësohet nga Berati për Shqipërinë dhe rajonin

Në një vend ku landfill-et mbeten destinacioni kryesor i mbetjeve, “Berati Riciklon” tregon se rezultatet vijnë kur sistemi ndërtohet si shërbim: me rregulla të qarta, kapacitete operacionale, angazhim të vazhdueshëm të komunitetit dhe një zinxhir të menaxhueshëm për materialet e riciklueshme. Kjo është arsyeja pse ky model po shihet si standard i ri për menaxhimin e mbetjeve në Shqipëri dhe si referencë për rajonin: sepse demonstron jo vetëm që ndarja në burim është e mundur, por edhe se mund të jetë e qëndrueshme, e matshme dhe e replikueshme.

February 2, 2026