BREATHE CLEAN: NJË THIRRJE RAJONALE PËR NDËRGJEGJËSIM KLIMATIK NË BALLKANIN PERËNDIMOR

Konteksti Rajonal dhe Qasja e Përbashkët

Photos by Urban Research Institute

Në fund të shtatorit 2025, në dhjetë qytete të Ballkanit Perëndimor u zhvilluan aktivitete të koordinuara ndërgjegjësimi në kuadër të fushatës rajonale Breathe Clean, në linjë me Ditën Botërore të Mushkërive. Në vend të një ngjarjeje qendrore, u aplikua një metodologji e përbashkët e përshtatur në nivel lokal në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kroaci, duke treguar se ndërgjegjësimi klimatik forcohet kur lidhet me përvojat e përditshme të qytetarëve dhe me hapësira publike të njohura e të aksesueshme.

Fushata u zhvillua në kuadër të projektit Climate Bridges Network in Action, i udhëhequr nga Urban Research Institute (URI), i cili koordinon konsorciumin e projektit dhe udhëheq zbatimin e fushatës në Shqipëri së bashku me partnerë të tjerë kombëtarë.
Me mbështetjen e EUKI dhe Regional Climate Partnership (RCP), iniciativa u zgjerua nga katër vendndodhje fillestare në 10 qytete dhe më shumë se 14 organizata të shoqërisë civile.

Në javët para zbatimit në terren, URI koordinoi një fushatë digjitale rajonale me materiale të unifikuara vizuale dhe mesazhe të përbashkëta. Zbatimi përfshiu një rrjet të gjerë partneritetesh: Build Green Group, Instituti për Dizajn dhe Menaxhim Mjedisor (EDMI), Qendra për Studime dhe Zbatim Mjedisor (QMSZ), Unë Gruaja Albania, Mjedisi dhe Komuniteti Berat, ARNO, Green Home, Lifelong Learning Centre (SCU), Shoqata për Ekologji dhe Kërkime (EID), Fakulteti i Pyjeve Sarajevo, si dhe tre anëtarë të konsorciumit të Climate Bridges Network: Zelena Istra (Kroaci), CENER21 (Bosnje dhe Hercegovinë) dhe Qendra për Ndryshimet Klimatike (Maqedonia e Veriut).

Tirana, Ngjarja Kryesore Rajonale

Tirana organizoi një nga aktivitetet kryesore të fushatës, duke bashkuar institucione, ekspertë dhe organizata të shoqërisë civile nën koordinimin e URI. Eventi nisi me një konferencë dhe diskutim të hapur në zemrën e Parkut të Liqenit të Tiranës, ku URI mirëpriti pjesëmarrësit dhe prezantoi fushatën në vazhdën e përpjekjeve të koordinimit rajonal.Në diskutime u bashkuan përfaqësues nga Ambasada Gjermane, Ministria e Mjedisit, GIZ Albania, studiues shkencorë, profesionistë të shëndetit publik dhe organizata të shoqërisë civile. URI mundësoi shkëmbime mes vendimmarrësve, studiuesve dhe aktorëve civilë, për të bërë bashkë shëndetin publik me politikën klimatike dhe qëndrueshmërinë urbane.

Në vijim, u zhvillua Panairi i Veprimit Klimatik, i cili bëri bashkë disa organizata shqiptare, si AlbGreen, Mjedisi dhe Komuniteti, INCA, Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen”, Build Green Group Albania, Together for Life, ISHUI dhe EcoAlbania, të cilat prezantuan materiale informuese, kuize, studime dhe mjete edukimi të përshtatshme për të rinjtë. Build Green Group, realizoi një demonstrim të drejtpërdrejtë të cilësisë së ajrit përmes SmartCitizen Kit, që matte PM2.5, CO₂ dhe NO₂ në kohë reale. Qytetarët u ftuan t’i përgjigjeshin pyetjes “Pse ka rëndësi ajri i pastër për mua?” dhe shumë prej tyre lidhën cilësinë e ajrit me lëvizshmërinë, konsumin, shëndetin dhe zakonet e përditshme. Vullnetarë të rinj lehtësuan ndërveprimin me publikun, ndërsa URI siguroi që mesazhet nga qytetet e tjera të përfshiheshin në narrativën rajonale, duke forcuar rolin e Tiranës si qendër e fushatës.

Një aktivitet plotësues u zhvillua pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit nga EDMI, ku u vendosën instalacione vizuale që shfaqnin kontrastin mes ajrit të pastër dhe ajrit të ndotur, përmes kodeve QR. URI mundësoi komunikimin mes të gjitha aktiviteteve të Tiranës, duke demonstruar se ndërveprimi publik, pjesëmarrja institucionale dhe angazhimi rinor mund të “bashkëjetojnë” brenda një fushate të vetme.

Aktivitetet në Niveli Lokal në Shqipëri

Photos by Une Gruaja

Në Pogradec, organizata Unë Gruaja zhvilloi një aktivitet me nxënës nga shkollat e qytetit, ku gjithashtu u shfaq një instalacion simbolik i mushkërive dhe u zhvilluan diskutime rreth shëndetit respirator.

Në Berat, organizata Mjedisi dhe Komuniteti organizoi sesione sensibilizimi duke ndërthurur edukimin me një nismë për ripërdorimin dhe rishpërndarjen e veshjeve, për të treguar lidhjen mes konsumit dhe emetimeve.

Në Librazhd, QMSZ organizoi një forum komunitar me një pulmonolog, pasuar nga sesione rrëfimesh të grave nga zonat rurale dhe periferike. Dëshmitë pritet të ekspozohen pranë qendrave shëndetësore për të treguar ndikimin e ajrit në jetën e përditshme.

Veprimet Rajonale në Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Kroaci

Në Sarajevë, CENER21 dhe Fakulteti i Pyjeve organizuan një ngjarje me biseda ekspertësh mbi ndotjen e ajrit, aktivitete sensibilizuese në ambient të hapur dhe mbjelljen simbolike të pemëve.

Në Nova Bila dhe Travnik, SCU zhvilloi aktivitetin “Biçikleta ime, planeti im”, duke kombinuar ecjen me biçikletë me sesione të edukimit mbi emetimet.

Në Banja Luka, EID zhvilloi sesione interaktive në shkolla, ku nxënësit u vetëdijësuan mbi temën e ndotjes dhe shëndetit përmes ushtrimeve të udhëhequra nga ekspertë.

Në Shkup, ARNO, qendra e riparimeve “Nothing New” dhe Center for Climate Change organizuan punëtori riparimi biçikletash dhe aktivitete ndërgjegjësimi në Sheshin Delfina, në bashkëpunim me aktivistë urbanë dhe grupe për mobilitet të qëndrueshëm. Dita u mbyll me Clean Air Bike Parade, një paradë biçikletash që solli një mesazh të fortë publik për shëndetin urban.

Në Podgoricë, Green Home përdori kodrën Gorica si hapësirë për dialog të hapur. Familje dhe kalimtarë u ftuan të ndanin mendime dhe pyetje mbi cilësinë e ajrit, duke treguar se ambientet jo-formale mund të nxisin pjesëmarrje më të lartë se format më zyrtare.

Në Pula, Zelena Istra organizoi një program të hapur në Sheshin Portarata ku u realizuan: teste spirometrie për mushkëritë, kënd riparimi biçikletash dhe sesione tregimesh personale mbi ndotjen dhe jetën e përditshme.

Photos by ARNO

Gjuha e Komunikimit dhe Potenciali për Përsëritje

Në të gjitha qytetet, u ndoq e njëjta metodologji komunikimi: gjuhë e thjeshtë dhe e kuptueshme, fokus tek shembujt e përditshëm, pjesëmarrje aktive dhe përdorimi i hapësirave publike si mjedise edukative. Në vend të prezantimeve teknike, organizatorët përdorën formate ndërvepruese si demonstrime të të dhënave, punëtori riparimi, panele reflektimi dhe pyetje të drejtpërdrejta për qytetarët. Kjo qasje i lejoi pjesëmarrësit të kuptonin temën përmes përvojave të veta dhe jo përmes terminologjisë teknike.

URI siguroi harmonizim të komunikimit dhe dokumentimit në të gjitha qytetet, duke i dhënë fushatës narrativë të përbashkët. Shumë organizata shprehën interes për ta zgjeruar metodën gjatë viteve 2025–2026, veçanërisht në fushën e arsimit dhe në programet e njësive të qeverisjes vendore. Fushata tregoi se ndërgjegjësimi klimatik mund të forcohet me burime të moderuara, nëse koordinimi është i fortë dhe formatet e të nxënit janë të përshtatura për kontekstin vendor.

Përfundim

Breathe Clean tregoi se ndërgjegjësimi klimatik mund të rritet kur institucionet, qytetarët dhe të rinjtë ftohen në të njëjtën bisedë. Me URI si koordinator rajonal, fushata kombinoi pjesëmarrjen institucionale me angazhimin rinor dhe qasje publike në dhjetë lokacione të Ballkanit Perëndimor. Nisma krijoi një model të zbatueshëm të bashkëpunimit rajonal dhe edukimit mjedisor që mund të përsëritet në programe të ndryshme. Mbi të gjitha, tregoi se ndërgjegjësimi fillon nga pyetjet e përditshme dhe hapësirat e përbashkëta, dhe se rezistenca e së ardhmes ndërtohet përmes bashkëpunimit.

November 26, 2025