Elbasani drejt neutralitetit klimatik: si po shndërrohet qyteti përmes GreenELB dhe eCIM me suportin e URI

Në Bashkinë Elbasan po ndërmerren hapa të strukturuar drejt neutralitetit klimatik, të mbështetur në të dhënat dhe projekte pilot që propozojnë zgjidhje të zbatueshme në praktikë. Instituti i Kërkimeve Urbane është partner në dy projekte të cilat adresojnë në mënyrë të integruar sektorët kryesorë të tranzicionit klimatik urban në Elbasan, eficiencën energjetike në ndërtesat private dhe lëvizshmërinë alternative, përmes iniciativave Green and Sustainable Energy in “Elbasan Buildings (GreenELB) dhe Elbasan Climate-Neutral Innovation in Mobility (eCIM). Projektet zbatohen në kuadër të mbështetjes së NetZeroCities për qytetet e Misionit të BE-së për Neutralitet Klimatik, duke reflektuar dy faza komplementare të procesit të transformimit urban. GreenELB është pjesë e Pilot Cities Programme, Cohort 3, dhe fokusohet në testimin dhe pilotimin e zgjidhjeve për uljen e konsumit të energjisë në banesat private, ndërsa eCIM zbatohet në kuadër të Enabling City Transformation, me synimin për të krijuar kushtet institucionale, rregullatore dhe financiare për krijimin dhe shkallëzimin e alternativave për lëvizjen e përditshme. Së bashku, këto projekte mbështesin kalimin nga pilotimi drejt zbatimit në shkallë më të gjerë, duke ndërtuar kapacitete, mekanizma dhe praktika që e bëjnë tranzicionin klimatik pjesë të menaxhimit të përditshëm urban në Elbasan.

Përmes këtyre projekteve, Elbasani synon të kalojë nga planifikimi linear drejt një modeli adaptiv të qeverisjes urbane, ku politikat, investimet dhe ndërhyrjet infrastrukturore mbështeten në cikle testimi, matjeje dhe përmirësimi të vazhdueshëm. Ky model krijon siguri më të madhe për vendimmarrjen publike dhe hap rrugën për integrimin e tranzicionit klimatik në proceset standarde të planifikimit dhe menaxhimit urban.

Pse energjia dhe lëvizshmëria janë në fokus?

Elbasani është qyteti i tretë më i madh në Shqipëri, për nga popullsia, dhe një nyje strategjike në qendër të vendit, i pozicionuar në kryqëzimin e korridoreve kryesore kombëtare dhe europiane të transportit. Me një territor administrativ prej 872 km², që përfshin një qendër urbane kompakte dhe një zonë të gjerë rurale, qyteti përballet me sfida të ndërthurura të zhvillimit urban, lëvizshmërisë dhe konsumit të energjisë. Ky kontekst territorial dhe funksional bën të domosdoshëm përcaktimin e prioriteteve sektoriale që ndikojnë drejtpërdrejt në emetimet dhe cilësinë e jetës së përditshme.

Profili i emetimeve e konfirmon këtë nevojë. Inventari i parë i gazeve me efekt serrë për vitin 2023 për Elbasanin tregon se ndërtesat dhe transporti përbëjnë burimet kryesore të emetimeve në qytet. Në sektorin e ndërtesave, konsumi i energjisë përfaqëson një pjesë të konsiderueshme të totalit të emetimeve, me 28.3% të lidhura me energjinë elektrike dhe 15.9% me energjinë jo-elektrike. Brenda këtij sektori, pesha kryesore bie mbi banesat private, të cilat gjenerojnë 96.8% të emetimeve nga ndërtesat, kryesisht për shkak të stokut të vjetër të ndërtesave, mungesës së izolimit dhe eficiencës së ulët energjetike.

Në të njëjtën kohë, transporti kontribuon me 31.9% të emetimeve totale të qytetit. Gjatë dekadës së fundit, përdorimi i automjeteve private është rritur ndjeshëm, ndërsa ecja dhe lëvizja me biçikletë kanë pësuar rënie. Kjo tendencë është përforcuar nga një numër automjetesh të vjetëruar dhe nga infrastruktura e kufizuar për lëvizshmërinë aktive, veçanërisht për biçikletat. Presioni i trafikut reflektohet jo vetëm në emetime, por edhe në sigurinë rrugore, cilësinë e ajrit dhe përdorimin e hapësirës publike në zonat urbane.

Ky realitet e vendos eficiencën energjetike në ndërtesa dhe lëvizshmërinë alternative në fokus të vizionit të Elbasanit për neutralitet klimatik, siç reflektohet edhe në Climate City Contract. Duke qenë një nga 112 qytetet e përzgjedhura në Misionin e BE-së për Qytete Klimatikisht Neutrale dhe Inteligjente, Elbasani i ka përcaktuar këta dy sektorë ndër më kryesorët ku ndërhyrjet mund të prodhojnë ndikim më të shpejtë dhe konkret.

Në këtë kuadër, GreenELB fokusohet në uljen e kërkesës për energji në banesat private përmes ndërhyrjeve të strukturuara të eficiencës energjetike, ndërsa eCIM adreson transformimin e mënyrës se si lëvizet në qytet, duke synuar alternativa më të sigurta, më të pastra dhe më efikase për lëvizjen e përditshme. Së bashku, këto dy projekte përfaqësojnë jo vetëm përgjigjen ndaj profilit aktual të emetimeve, por edhe një zgjedhje strategjike për të përmirësuar cilësinë e jetës urbane dhe për ta bërë tranzicionin klimatik të prekshëm për qytetarët.

GreenELB: Si po ulet kërkesa për energji në banesa, duke nisur nga lagjja Vullnetari?

GreenELB fokusohet në një nga burimet më të mëdha të emetimeve në Elbasan: konsumin e energjisë në banesat private. Projekti nuk e trajton eficiencën energjetike vetëm si çështje teknike, por si një kombinim të mënyrës se si janë ndërtuar banesat dhe mënyrës se si energjia përdoret çdo ditë nga familjet. Për këtë arsye, ndërhyrjet e GreenELB ndërtohen njëkohësisht mbi të dhëna teknike dhe mbi kuptimin e sjelljeve të banorëve.

Lagjja Vullnetari është zgjedhur si zonë pilot sepse përfaqëson shumë nga sfidat tipike të stokut rezidencial të Elbasanit: ndërtesa të ndërtuara para standardeve moderne të izolimit, konsum të lartë energjie dhe praktika të përditshme që shpesh çojnë në përdorim joeficient të energjisë. Kjo e bën Vullnetarin një terren të përshtatshëm për të testuar zgjidhje që janë të zbatueshme dhe të përshtatshme për t’u replikuar edhe në zona të tjera të qytetit.

Si përkthehet GreenELB në rezultate konkrete për eficiencën energjetike në banesa?

GreenELB nis duke mbledhur informacion të qartë për mënyrën se si energjia përdoret në banesa, përmes auditimeve energjetike dhe vlerësimeve në terren. Në këtë kuadër, janë përzgjedhur dhe konsultuar 20 ndërtesa pilot në lagjen Vullnetari për realizimin e auditimeve energjetike falas, me qëllim ndërtimin e një baze të matshme për ndërhyrjet e mëtejshme.

Bazuar në këtë diagnozë do të zhvillohen paketa retrofit të përshtatura sipas tipologjive të ndërtesave dhe nevojave reale, së bashku me një udhëzues praktik që i bën masat të kuptueshme dhe të aplikueshme. Kjo përfshin zhvillimin e profileve energjetike të ndërtesave dhe dizenjimin e zgjidhjeve të rinovimit. Projekti adreson edhe dimensionin e sjelljes dhe mënyrës si përdoret energjia, duke testuar ndërhyrje të thjeshta dhe me kosto të ulët që synojnë përmirësimin e praktikave të përditshme të përdorimit të energjisë. Paralelisht, po zhvillohet një qasje testimi rregullator për eficiencën energjetike, me qëllim që Bashkia të ketë hapësirë të kontrolluar për të provuar instrumente dhe procedura para se t’i zgjerojë.

Një komponent i rëndësishëm i GreenELB është angazhimi i të rinjve, në bashkëpunim me Universiteti i Elbasanit dhe Këshillin Studentor Elbasan, të cilët kontribuojnë në vlerësimet në terren dhe në komunikimin e zgjidhjeve të qëndrueshme me komunitetin. Kjo qasje e lidh procesin teknik me edukimin, ndërgjegjësimin dhe ndërtimin e një kulture lokale të eficiencës energjetike.

Për të siguruar zbatim dhe shkallëzim në kohë, GreenELB zhvillon një plan teknik dhe financiar duke ndërtuar kapacitete lokale, përmes trajnimeve dhe mbështetjes praktike për aktorët lokalë, me qëllim që metodologjia, standardet e vlerësimit dhe aftësitë për planifikim e menaxhim të projekteve të rinovimit të mbeten brenda qytetit.

GreenELB zbatohet nga 01/09/2024 deri më 30/08/2026 dhe kontribuon në tranzicionin e Elbasanit drejt neutralitetit klimatik, duke treguar se ndryshimi fillon nga shtëpia dhe nga praktikat e përditshme.

eCIM: si po transformohet lëvizja e përditshme përmes një korridori demonstrues në bulevardin Aqif Pasha

eCIM është një projekt i fokusuar te transformimi i lëvizshmërisë urbane në qytetin e Elbasanit, me ndërhyrje të dizenjuara për t’u testuar, matur dhe përmirësuar, si dhe për të shërbyer si model për ndërhyrje të tjera në këtë qytet dhe në qytete të tjera në vend. Pika kyçe është krijimi i një korridori demonstrues në Bulevardi Aqif Pasha, ku ndërhyrjet bëhen të dukshme, të verifikueshme, të matshme dhe të përshtatshme për t’u shkallëzuar.

Çfarë po realizohet bashkë me Bashkinë e Elbasanit përmes eCIM:

eCIM zbatohet në partneritet me Bashkinë e Elbasanit dhe e kthen lëvizshmërinë aktive në një proces të planifikuar, të testuar në terren dhe të mbështetur në të dhëna. Projekti mbështet hartimin e një Plani të Detajuar Vendor që merr në konsideratë nevojat e qytetarëve dhe orienton përmirësimin e infrastrukturës urbane, me synim lehtësimin e lëvizjes në këmbë dhe me biçikletë. Plani propozon gjithashtu ndërhyrje në infrastrukturën rrugore të zonës qendrore për të ndërtuar një rrjet të integruar dhe funksional të korsive të biçikletave, me prioritete të qarta dhe logjikë rrjetëzimi.

Në terren po ndërtohet dhe testohet një korridor demonstrues në Bulevardin Aqif Pasha, ku ndryshimet bëhen të dukshme dhe të matshme përpara se të shkallëzohen. Në këtë kuadër po pilotohet një korsi biçiklete pop-up rreth 1000 metra, e shoqëruar me sistem matjeje dhe të dhëna në kohë reale, për të kuptuar përdorimin, sjelljen dhe ndikimin e ndërhyrjes. Paralelisht po shtohen elementë sigurie dhe teknologjie urbane, si kalime inteligjente për këmbësorë, sisteme numërimi për biçikletat dhe komponentë monitorimi, për të pasur prova të vazhdueshme mbi flukset dhe mënyrën si ndryshon lëvizja.

Që këto ndërhyrje të mos mbeten vetëm pilotime, projekti forcon edhe mënyrën si koordinohet vendimmarrja brenda qytetit. Po mbështetet ngritja e një task-force ndërdepartamentale me mbi 40 aktorë, ku përfshihen struktura të Bashkisë dhe aktorë lokalë, për të siguruar koordinim mes planifikimit, shërbimeve, policisë bashkiake, arsimit, komunikimit dhe komunitetit. Në të njëjtën kohë po ndërtohet një hapësirë testimi për rregulla dhe instrumente (“policy sandbox”), ku Bashkia mund të provojë standarde, procedura, instrumente financimi dhe qasje prokurimi, përfshirë prokurimin e gjelbër dhe partneritetet publik-privat, pa e ekspozuar zbatimin ndaj vendimeve të pakthyeshme.

Së fundi, eCIM investon te kapacitetet vendore dhe te kultura e matjes. Përmes trajnimeve për stafin bashkiak në buxhetim klimatik, interpretim të të dhënave, njohje të sjelljes dhe planifikim të transportit të qëndrueshëm, si edhe përmes programit Mobility Students me universitetin, monitorimi dhe mbledhja e të dhënave kthehen në pjesë të praktikës së përditshme të menaxhimit urban.

eCIM shtrihet nga 01/04/2025 deri më 30/09/2026.

Si lidhen GreenELB dhe eCIM në një rrugë të vetme transformimi?

GreenELB dhe eCIM ndajnë të njëjtin model pune, të bazuar në të dhëna, testim, matje, procedura dhe kapacitete zbatimi, i cili aplikohet në dy fusha: energji dhe mobilitet. Në të dy rastet, ndërhyrjet mbështeten në të dhëna. Te GreenELB përdoren auditimet dhe profilet energjetike të ndërtesave për të kuptuar konsumin dhe potencialin e kursimit, ndërsa te eCIM përdoren matja e flukseve, numërimet dhe monitorimi në korridorin urban për të analizuar mënyrën se si qyteti lëviz. Këto sisteme të të dhënave krijojnë bazën për vendimmarrje të informuar dhe për ndërhyrje të matshme.

GreenELB dhe eCIM përdorin një qasje të përbashkët duke testuar politika dhe procedura përpara se t’i kthejnë në zbatim të qëndrueshëm. Te GreenELB kjo lidhet me instrumentet për eficiencë energjetike dhe mënyrën si organizohet retrofit-i në nivel bashkie, ndërsa te eCIM lidhet me rregullat e lëvizshmërisë, menaxhimin e hapësirës së rrugës, prokurimin dhe mekanizmat e financimit.

Projektet ndërtojnë kapacitete brenda Bashkisë dhe te aktorët lokalë, me fokus të përshtatur sipas sektorit. GreenELB forcon aftësitë për vlerësim, planifikim dhe menaxhim të rinovimit energjetik, ndërsa eCIM përqendrohet te planifikimi i lëvizshmërisë, interpretimi i të dhënave, koordinimi ndërsektorial dhe ndërtimi i një praktike të monitorimit.

Zbatimi trajtohet si proces që kërkon instrumente financimi dhe prokurimi, jo vetëm dizajn teknik. Kjo i bën pilotimet të shkallëzueshme. Në praktikë, këto dy projekte po e ndihmojnë Elbasanin të krijojë një standard të ri pune: vendime të mbështetura në prova, ndërhyrje të testuara dhe kapacitet institucional që e mban ritmin edhe pas projektit.

Roli i URI dhe çfarë po i lë qytetit

Roli i URI në Elbasan është të lidhë analizën me zbatimin. Te GreenELB, kjo përkthehet në metodologji auditimi, paketa retrofit, plan teknik e financiar, instrumente testimi rregullator, trajnime dhe modele angazhimi. Te eCIM, kjo përkthehet në dizajn pilotimesh, struktura të të dhënave, “policy sandbox” për lëvizshmërinë, trajnime për stafin bashkiak, program studentor dhe mbështetje për koordinimin me aktorët.

Rezultati që synohet të arrihet për Elbasanin është i qartë: një model pune që mund të zgjerohet, me standarde, procedura, të dhëna, kapacitete dhe instrumente zbatimi, në mënyrë që tranzicioni drejt neutralitetit klimatik të kthehet në praktikë të përditshme të menaxhimit urban.

February 16, 2026