Përgjegjësia e Zgjeruar e Prodhuesit në Ballkanin Perëndimor: çfarë do të thotë dhe pse ka rëndësi

Kur flasim për mbetjet, zakonisht mendojmë se përgjegjësia është vetëm e qytetarëve ose e bashkive. Por në fakt, një pjesë e madhe e përgjegjësisë lidhet edhe me kompanitë që prodhojnë ose importojnë produkte. Pikërisht këtë synon strategjia e Përgjegjësisë së Zgjeruar të Prodhuesit, ose PZP.

Me fjalë shumë të thjeshta, PZP do të thotë që kompania që shet një produkt nuk mbaron punë vetëm kur e nxjerr atë në treg. Ajo duhet të mbajë përgjegjësi edhe për çfarë ndodh me atë produkt ose me paketimin e tij pasi përdoret dhe bëhet mbetje.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për mbetje si ambalazhet, bateritë, pajisjet elektrike dhe elektronike, si edhe makinat që dalin jashtë përdorimit. Këto janë kategori që krijojnë shumë mbetje dhe kërkojnë trajtim të veçantë.

Ideja kryesore është e thjeshtë. Në vend që shteti ose bashkia të paguajë gjithmonë për mbledhjen dhe riciklimin e këtyre mbetjeve, një pjesë e kostos kalon te kompania që e ka futur produktin në treg. Pra, kush sjell produktin, ndihmon edhe për menaxhimin e mbetjeve që ai krijon.

Kjo sjell disa rrjedhoja:

Së pari, kompanitë duhet të dinë saktësisht çfarë po hedhin në treg: sa produkte, sa paketim, çfarë materiali përdorin dhe sa peshon çdo njësi e produktit. Pa këto të dhëna, sistemi nuk funksionon.

Së dyti, kompanitë fillojnë të kenë detyrimisht interes që produktet dhe paketimet të jenë më të thjeshta për t’u ricikluar. Pse? Sepse nëse përdorin më pak material, më pak ambalazh të panevojshëm ose materiale më të riciklueshme, zakonisht edhe kostoja e tarifave që atyre u duhet të paguajnë, ulet.

Pra, PZP është edhe një mënyrë për t’i shtyrë bizneset të konsiderojnë ndikimin e tyre mjedisor që në fillim të procesit: si ta prodhojnë dhe paketojnë produktin në mënyrë që ai të krijojë më pak mbetje.

Në praktikë, kompanitë shpesh nuk i përmbushin vetë të gjitha këto detyrime një nga një. Zakonisht krijohen ose përdoren organizata të posaçme që merren me këtë punë në emër të tyre (Organizata të Përgjegjësisë së Përdoruesit). Këto organizata ndihmojnë me regjistrimin, raportimin, mbledhjen e tarifave, organizimin e grumbullimit dhe raportimin e rezultateve. Kjo e bën sistemin më të lehtë për t’u zbatuar.

Në Shqipëri, ky sistem është ende në zhvillim. Po diskutohet që ai të nisë fillimisht për kategoritë kryesore të mbetjeve, si paketimet, bateritë, pajisjet elektronike dhe automjetet në fund të jetës. Zbatimi pritet të bëhet gradualisht. Fillimisht do të kërkohen regjistrimi, raportimi dhe gjurmimi i produkteve. Më pas, pas krijimit të strukturave përkatëse dhe bazave të të dhënave, do të fillojnë edhe pagesat dhe detyrimet e tjera praktike.

Pikërisht këtu bëhet i rëndësishëm roli i URI. Kjo çështje shpesh duket thjesht si një temë legjislative dhe teorike, por në realitet është shumë praktike. Duhet të dihet kush raporton, çfarë raportohet, si llogariten tarifat, si funksionojnë organizatat përkatëse dhe si përgatiten bizneset. Guida e vitit 2025 e përgatitur me kontributin e URI është e rëndësishme sepse i kthen këto kërkesa në hapa të qartë dhe të kuptueshëm për kompanitë.

Kjo ndihmon që bizneset të mos mbeten në paqartësi dhe që zbatimi i kësaj strategjie të jetë më i lehtë. Pra, nuk mbetet vetëm te “çfarë thotë ligji”, por shpjegon edhe “çfarë duhet bërë në praktikë”.

Për kompanitë, mesazhi është i qartë: nuk duhet të presin derisa sistemi të bëhet i detyrueshëm plotësisht. Ato mund të përgatiten që tani. Mund të mësojnë më mirë çfarë roli kanë në zinxhirin e furnizimit, të fillojnë të ruajnë të dhëna për produktet dhe paketimet që hedhin në treg, të ndjekin zhvillimet ligjore, të planifikojnë kostot e mundshme dhe të rishikojnë paketimet për të shmangur ato që janë të panevojshme.

Domethënia e PZP ëshë fare e thjeshtë: kush fiton nga shitja e produktit, duhet të mbajë edhe një pjesë të përgjegjësisë për mbetjen që ai produkt lë pas. Kjo ndihmon në nxitjen e praktikave të riciklimit dhe shtyn kompanitë të prodhojnë në mënyrë më të përgjegjshme dhe të zgjuar.

March 13, 2026