Matrica e Kompetencave e Vetëqeverisjes Vendore
Reforma më e fundit e decentralizimit në vend ka filluar me ligjin 139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore” si dhe me ligjin 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”; dhe vazhdon më tej me analizën e ligjeve sektoriale në mënyrë që të ndihmojë në harmonizimin e shpërndarjes së autoritetit në të dy nivelet qeverisëse për secilën fushë të funksioneve të vetëqeverisjes vendore.
Dy raportet e monitorimit të Strategjisë, të hartuara respektivisht në 2016 dhe 2017, kanë gjetur se mungesa e harmonizimit ligjor është e pranishme në shumë fusha të veprimtarisë funksionale të vetëqeverisjes vendore, e veçanërisht në funksionet e reja të cilat i janë transferuar këtij niveli qeverisës me ligjin 139/2015 dhe në kuadër të Reformës Territoriale dhe Administrative të vitit 2015.
Përmirësimi dhe harmonizimi i kuadrit ligjor dhe institucional sektorial është mëse i nevojshëm për të rritur eficiencën e veprimtarisë së njësive të vetëqeverisjes vendore, që qëndron si vizioni i Strategjisë; gjithashtu siguron zhvillimin e qëndrueshëm të këtij niveli qeverisës, i cili në vetvete përbën dhe një prej objektivave kryesore të Strategjisë.