Kampionët e Klimës 2025 kurorëzohen në Pula: Veprimi rajonal për klimën në qendër të vëmendjes.

Nga datat 5- 10 tetor 2026, fushata rajonale e Rrjetit Climate Bridges, “Hapësira të Gjelbra, Vende të Sigurta”, mori jetë në katër qytete: Tiranë, Sarajevë, Shkup dhe Pula.

Tiranë, Shqipëri– Studentët rimendojnë hapësirën publike

Në Tiranë, Instituti i Kërkimeve Urbane zhvilloi një diskutim informal me studentë të programeve bachelor dhe master në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Departamenti i Biologjisë, me prezencën e Dr. Marjol Meço. Diskutimet ishin shumë produktive dhe u përqendruan tek sfidat mjedisore me të cilat përballet aktualisht Tirana. Vëmendje e veçantë iu kushtua hapësirave të gjelbra të qytetit, të cilat janë nën një presion në rritje. Humbja e gjelbërimit po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e ajrit dhe në jetën e përditshme të banorëve.

Aktiviteti shërbeu gjithashtu si një platformë ku të rinjtë mund të zhvillonin ide dhe t’i diskutonin ato në mënyrë të hapur. Studentët vunë në dukje problemet që shohin çdo ditë në lagjet e tyre: zona të braktisura që janë kthyer në vende të pasigurta, mure të zhveshura që kanë nevojë për gjelbërim dhe trotuare pa hije. Ata folën edhe për rritjen e temperaturave në qytet, të ndihmuar nga mungesa e pemëve dhe e hijes, si dhe për parkimet e krijuara në mënyrë informale brenda zonave të pallateve. Mbi të gjitha, ata theksuan nevojën për më shumë zona ku qytetarët të mund të kalojnë kohë në ambient të hapur.

Studentët e pranishëm vinin nga qytete të ndryshme të vendit, si Tirana, Korça, Hasi, Fushë-Kruja, Dibra etj., dhe ndanë shqetësimet e tyre për hapësirat e gjelbra në qytetet e tyre të origjinës. Pavarësisht nga qyteti, shqetësimet ishin të njëjta. Kjo tregon se mbrojtja dhe zgjerimi i hapësirave të gjelbra është një çështje që ka rëndësi për të gjithë vendin, jo vetëm për kryeqytetin. Ndër temat e tjera, u diskutua edhe rreziku që paraqesin speciet e aliene invazive. Jo i gjithë gjelbërimi është i dobishëm për mjedisin, pasi disa specie zëvendësojnë bimët vendase dhe dëmtojnë biodiversitetin. Për këtë arsye, zgjedhja e specieve bimore kërkon shqyrtim të kujdesshëm kur planifikohen dhe mirëmbahen hapësirat e gjelbra. Studentët theksuan gjithashtu se mbjelljet e reja duhet të jenë në përpjesëtim me zonën urbane, me specie dhe sasi të përshtatshme për hapësirën në dispozicion, në mënyrë që gjelbërimi të përshtatet me qytetin dhe jo ta mbingarkojë atë.

Pula, Kroaci– Ekspertë dhe qytetarë debatojnë për të ardhmen e një qyteti të gjelbër

Në Pula, Zelena Istra organizoi panelin “Qytete të Gjelbra – Qytete të Sigurta” në Qendrën Komunitare Rojc, i cili u transmetua drejtpërdrejt në rrjetet e saj sociale dhe u regjistrua për Radio Rojc. Rreth 50 vizitorë, përfshirë qytetarë, studentë dhe anëtarë të nismave qytetare vendore, ndoqën një diskutim me dy arkitektë, një sociolog dhe një aktivist mjedisor, të moderuar nga Irena Burba. Mesazhi i tyre i përbashkët: hapësirat e gjelbra janë infrastrukturë e gjelbër thelbësore, me përfitime të matshme për shëndetin, qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike dhe buxhetet e qyteteve.

Sarajevë, Bosnjë e Hercegovinë –Hapësira të gjelbra që frymëzojnë

Cener 21 dhe partnerët në Sarajevë zhvilluan nga 5-10 tetori një program të përqendruar te kopshtaria urbane dhe prodhimi i ushqimit vendas, në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Bujqësore dhe Ushqimore, Qytetin e Sarajevës, gjimnazin “JU Druga” dhe Sinergija Plus. Programi u hap me Green House Party për më shumë se 100 të ftuar, me një tur tematik dhe një shkëmbim informal mbi hapësirat e gjelbra të lëna pas dore dhe ushqimin e prodhuar në vend. Ekspozita e Kopshtarisë Urbane paraqiti historinë e kopshtarisë në Sarajevë nga vitet e luftës deri sot, përmes fotografive dhe dëshmive personale, dhe u shoqërua me shëtitjen me guidë “Sarajevo Hidden Gems” (Thesaret e fshehura të Sarajevës). Programi u mbyll me një punëtori praktike mbi rotacionin e kulturave bujqësore për rreth 20 pjesëmarrës, e cila u zhvillua pavarësisht erës dhe shiut.

Shkup, Maqedoni e Veriut– Fëmijët mbjellin farat e një Karposhi më të gjelbër

Në Shkup, Qendra për Ndryshimet Klimatike zhvilloi aksionin e saj në Komunën e Karposhit, me Shkollën Fillore “Lazo Trpovski”. Rreth 50 nxënës të klasave të dyta dhe të treta lyen vazo lulesh, mbollën bimë dhe folën për mënyrën se si bimët e freskojnë qytetin dhe përmirësojnë hapësirat e përbashkëta. Qendra i dhuroi gjithashtu Komunës tre fidanë pemësh për t’u mbjellë në një hapësirë publike. Një pyetësor (98 të anketuar, jo përfaqësues) tregoi se 87% mendojnë se lagjet e tyre kanë nevojë për më shumë gjelbërim, ndërsa 76% e vlerësojnë dobët mirëmbajtjen dhe pastërtinë e hapësirave të gjelbra.

Katër qytete, katër formate, një mesazh i përbashkët: hapësirat e gjelbra i bëjnë qytetet më të shëndetshme, më të sigurta dhe më të jetueshme dhe mbrojtja e tyre është një detyrë që u takon së bashku komuniteteve, institucioneve dhe ekspertëve.

October 26, 2026