Konsultim me aktorët e interesit mbi aksesueshmërinë kulturore në kuadër të projektit Art4All

Aksesi në kulturë është një e drejtë themelore e njeriut dhe sipas Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut: të drejtat kulturore janë të domosdoshme për dinjitetin dhe zhvillimin e lirë të personalitetit dhe “gjithkush ka të drejtë të marrë pjesë lirisht në jetën kulturore të komunitetit [dhe] të shijojë artin”.

Instituti i Kërkimeve Urbane organizoi konsultimin me aktorët e interesit “Dialog për Kulturë të Aksesueshme”, në kuadër të projektit Art4All, më 23 qershor 2026 në Europe House, Tiranë.

Institucione kulturore, përfaqësues të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, organizata të personave me aftësi të kufizuara, Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe aktorë të tjerë u bënë bashkë për të diskutuar mbi barrierat që vazhdojnë të kufizojnë pjesëmarrjen në kulturë dhe mbi zgjidhjet që mund ta bëjnë atë vërtet gjithëpërfshirëse.

Takimin e hapën Znj. Zana Vokopola, Drejtore Ekzekutive e URI-t, dhe Znj. Benida Kraja, Drejtore e Drejtorisë së Politikave për Trashëgiminë Kulturore në Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Marinela Spahiu, Menaxhere e Projektit në URI, prezantoi qëllimin e këtij aktiviteti konsultues dhe projektin Art4All. Në vijim, pjesëmarrësit udhëhoqën një diskutim të thelluar mbi barrierat fizike, shqisore, njohëse, të komunikimit dhe digjitale, si dhe mbi rekomandimet praktike për një pjesëmarrje më gjithëpërfshirëse në kulturë.

Gjatë diskutimit u ritheksua edhe një herë se, ndërsa vëmendja përqendrohet shpesh te aksesueshmëria fizike, nuk duhet të harrojmë aksesueshmërinë e komunikimit, atë shqisore, njohëse dhe digjitale. Vetëm duke i adresuar të gjitha këto dimensione mund të flasim për një kulturë vërtet të aksesueshme për të gjithë.

Ky konsultim është pjesë e analizës së boshllëqeve të aksesueshmërisë që po zhvillon URI, e cila ndërthur pyetësorë, intervista, fokus-grupe, vizita në terren dhe auditime të aksesueshmërisë digjitale për të pasur gjetje në përvojën reale të personave me aftësi të kufizuara dhe të organizatave që i përfaqësojnë.

Rreth projektit

Art4All – Improving Cultural Accessibility Across Borders bën bashkë partnerë nga Italia, Shqipëria dhe Mali i Zi dhe synon të adresojë barrierat që pengojnë aksesin në kulturë, me vëmendje të veçantë ndaj pjesëmarrjes së personave me aftësi të kufizuara në jetën kulturore. Projekti zbatohet nga Fondacioni Pino Pascali (Partneri Kryesor, Itali), Factory Transadriatic – Ndërmarrje Sociale (Itali), Muzeu i Artit Bashkëkohor Termoli (Itali), Instituti për Kërkime Urbane (Shqipëri) dhe Qendra Kulturore Homer (Mal i Zi), dhe financohet nga programi Interreg IPA South Adriatic.

August 11, 2026