Festivali i Filmit Mjedisor të Shqipërisë – Edicioni V
Duke qenë se mbrojtja e mjedisit dhe mitigimi i ndryshimeve klimatike është një sfidë urgjente globale, disa OJQ shqiptare bashkuan forcat për të financuar, organizuar dhe mbështetur edicionin e pestë të Festivalit të Filmit Mjedisor të Shqipërisë (EFFA), i mbajtur nga data 24 deri më 28 tetor 2017. Festivali ftoi të gjithë, pavarësisht moshës, prejardhjes sociale apo interesave, për të shijuar një përzgjedhje të filmave mjedisorë të shkurtër dhe të gjatë nga e gjithë bota.
EFFA lindi në vitin 2013, për të plotësuar mungesën e ndërgjegjësimit të shqiptarëve për çështje të ndryshme mjedisore. Ideja ishte që festivali të arrinte publikun në një mënyrë më inovative dhe t’i shtrinte këto aktivitete në të gjithë vendin. Mënyra se si ushqehemi dhe konsumojmë, mënyra se si i trajtojmë qeniet e tjera të gjalla, lakmia me të cilën shfrytëzojmë burimet e planetit – këto janë disa nga pyetjet mbi të cilat ftuam audiencën të reflektonte. Ne zgjodhëm 56 filma nga 30 vende anembanë globit për të inkurajuar mendimin kritik dhe diskutimet konstruktive mbi sfidat aktuale mjedisore.
Që prej edicionit të parë në 2013, festivali ka marrë mbështetje dhe financim nga BE, në kontekstin më të gjerë të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe nevojës për të përafruar legjislacionin dhe praktikat e vendit me standardet e BE-së. Ky edicion i 5-të, i organizuar në 10 pika të ndryshme në qytetin e Tiranës, u mundësua me mbështetjen e partnerëve tanë REC, IBECA dhe ASCS. IKU ishte koordinator dhe drejtor i aktiviteteve kryesore për EFFA 2017.