Artizanati në Kavajë dhe Rrogozhinë
Instituti i Kërkimeve Urbane në bashkëpunim me Kube Studios po zbatojnë projektin “Artizanët për Trashëgiminë Kulturore (ArtCult)” në Kavajë dhe Rrogozhinë, i mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian në kuadër të projektit EU4Culture, i cili zbatohet nga UNOPS në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Kulturës.
ArtCult synon të ofrojë mbështetje për ruajtjen dhe rijetësimin e zejeve dhe aftësive artizanale të vjetra dhe në zhdukje, përmirësimin e zejeve ekzistuese si dhe inkurajimin e mënyrave të reja dhe inovative të krijimit të zanateve. Në këtë kuadër është hartuar edhe studimi me fokus te zejtaria dhe artizanët në Kavajë e Rrogozhinë. Studimi ofron informacion të përgjithshëm mbi trashëgiminë kulturore në Shqipëri, zhvillimin e traditës së zejtarisë ndër vite si dhe paraqitjen e situatës së përgjithshme të artizanëve, veçanërisht atyre që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në zonën e zbatimit të projektit, si dhe të nevojave për ndërhyrje për rigjallërimin e këtij sektori.
Studimi paraqet situatën e artizanëve dhe problematikat që ata hasin, nevojat që kanë për mbështetje dhe rekomandime mbi mundësitë për rijetësimin e trashëgimisë kulturore të Kavajës dhe Rrogozhinës. Pjesë e këtij studimi është edhe hartëzimi i artizanëve të punimeve artizanale tradicionale në këto bashki.