Iniciativa GreenELB hap sfidën lokale “1 javë, 1 zakon, 1 ndryshim” për të rinjtë e Elbasanit
Kjo nismë synon ta kthejë eficiencën e energjisë nga një temë teknike në një praktikë të përditshme dhe të zbatueshme nga çdokush.
Në kuadër të projektit GreenELB (Green and Sustainable Energy in Elbasan Buildings), hapet zyrtarisht sfida lokale “1 javë, 1 zakon, 1 ndryshim”, një fushatë e dedikuar ndërgjegjësimit qytetar dhe ndryshimit të sjelljes në fushën e kursimit të energjisë. Sfida zhvillohet gjatë periudhës 22–29 qershor dhe u drejtohet në radhë të parë të rinjve të Elbasanit. Ata vendosen në qendër të procesit si bashkë-krijues të mesazhit dhe nxitës të ndryshimit në familje, shkollë dhe komunitet.
Fushata “1 javë, 1 zakon, 1 ndryshim” nuk zëvendëson komponentët teknikë të projektit, por i bën ata më të kuptueshëm për publikun, duke i lidhur drejtpërdrejt me zakonet e përditshme të përdorimit të energjisë. Mesazhi i saj qendror është i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë: ndryshimi fillon me praktikimin e zakoneve të vogla.

Qëllimi dhe objektivat
Qëllimi i fushatës është ta kthejë eficiencën e energjisë nga një çështje teknike në një praktikë të thjeshtë e të zbatueshme nga familjet, të rinjtë, shkollat, bizneset dhe institucionet lokale. Objektivat specifikë të saj janë:
- të rrisë ndërgjegjësimin mbi përdorimin e përgjegjshëm të energjisë në ndërtesa dhe ambiente të përditshme;
- të nxisë ndryshime konkrete të sjelljes përmes një sfide 7-ditore të thjeshtë dhe të përsëritshme;
- të përfshijë të rinjtë si krijues përmbajtjeje, ambasadorë lokalë dhe monitorues të zakoneve të energjisë;
- të prodhojë histori reale nga komuniteti, të përdorshme në kanalet sociale dhe në raportimin e projektit;
- të forcojë lidhjen ndërmjet objektivave të GreenELB dhe veprimeve të përditshme të qytetarëve në Elbasan.
Kë përfshin sfida?
Fushata orientohet drejt të rinjve të Elbasanit, duke i vendosur ata në qendër të ndërgjegjësimit, krijimit të përmbajtjes dhe nxitjes së ndryshimit të zakoneve të përdorimit të energjisë.
Si funksionon sfida?
Gjatë shtatë ditëve, nga 22 deri më 29 qershor, të rinjtë pjesëmarrës zgjedh një zakon të vetëm për kursimin e energjisë, e zbaton në mënyrë të vazhdueshme dhe e dokumenton përvojën. Ndër zakonet e rekomanduara, të thjeshta për t’u zbatuar dhe për t’u dokumentuar, janë:
- fikja e dritave të panevojshme në ambientet ku jeton, mëson apo punon;
- fikja e pajisjeve që qëndrojnë në standby, si televizori, karikuesit ose kompjuteri;
- përdorimi i dritës natyrale gjatë ditës;
- përdorimi më i kujdesshëm i kondicionerit ose ngrohjes;
- leximi dhe diskutimi i faturës së energjisë në familje;
- vendosja e një rregulli të përbashkët energjie për një grup.
Formatet e pranueshme
Pjesëmarrësit mund ta dokumentojnë përvojën e tyre përmes njërit prej formateve të mëposhtme:
- Storytelling – “Historia ime e energjisë”: një tekst i shkurtër (deri në 1500 fjalë), postim ose carousel me 3–5 pamje, që tregon zakonin e zgjedhur, arsyen, mënyrën e zbatimit dhe ndryshimin e vërejtur.
- Video – “7 ditë, 1 zakon i gjelbër”: një video 30–60 sekonda që paraqet zakonin dhe mesazhin për bashkëmoshatarët.
- Fotografi: një seri prej 3–5 fotografish me përshkrim të shkurtër, që ilustron procesin e zbatimit.
- Poster ose foto-mesazh: një material vizual i thjeshtë me një thirrje të qartë sensibilizuese.
Udhëzuesi për pjesëmarrësit
Për ta lehtësuar procesin, GreenELB vë në dispozicion një Udhëzues informues për pjesëmarrësit, i cili shpjegon në detaje çfarë është sfida, si të zgjidhet zakoni, si të dokumentohet ai dhe cilat formate mund të dorëzohen, të shoqëruar me shembuj konkretë për frymëzim. Udhëzuesi mund të shkarkohet i plotë në linkun e mëposhtëm.
Procesi i aplikimit
Pjesëmarrja në sfidë bëhet përmes plotësimit të një formulari të thjeshtë aplikimi. Çdo pjesëmarrës ose grup duhet të plotësojë Formularin e Aplikimit dhe ta dërgojë së bashku me materialin e përgatitur në adresën zyrtare të projektit:
- Email: greenelbeu@gmail.com
- Subjekti i emailit: Aplikim GreenELB – 1 javë, 1 zakon, 1 ndryshim
Në email duhet të bashkëngjiten:
- Materiali i përgatitur për sfidën, në format storytelling, video, fotografi ose poster.
2. Formulari i aplikimit i plotësuar.
Shkarko Formularin e Aplikimit
Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve: 3 korrik 2026.
Vlerësimi dhe çmimet
Pas mbylljes së afatit, aplikimet do të shqyrtohen nga një juri me përfaqësim institucional nga Urban Research Institute, Bashkia Elbasan dhe Universiteti i Elbasanit.
Fushata parashikon deri në katër çmime, që synojnë të vlerësojnë angazhimin, kreativitetin dhe aftësinë për të përcjellë një mesazh të qartë mbi kursimin e energjisë. Materialet fituese do të publikohen në kanalet zyrtare të projektit, të Urban Research Institute dhe të Bashkisë Elbasan.



