Njoftim për Shtyp: Progres i Kufizuar në Fushën e Mjedisit dhe Ndryshimeve Klimatike në të gjithë Rajonin e Ballkanit Perëndimor


Komisioni Evropian ka publikuar Paketën e re të Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, e cila përfshin raportet e progresit mbi anëtarësimin e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Të gjitha vendet paraqesin progres të pakët ose dhe deri në mungesë progresi në lidhje me përafrimin dhe zbatimin e politikave mjedisore të BE-së. Politikat ekzistuese dhe nivelet e investimeve nuk kanë qenë efikase në trajtimin e problemeve të akumuluara në mjedis, probleme të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve.

Tranzicioni i energjisë, dekarbonizimi dhe largimi nga qymyri ka qenë shumë i ngadaltë dhe mungon angazhimi dhe dedikimi shumë i kërkuar në nivel ndërsektorial. Ndotja e ajrit ka ngritur shqetësime serioze te qytetarët, por qeveritë nuk po e marrin seriozisht këtë shqetësim dhe përgjithësisht janë jo efektivë në zbatimin e masave për uljen e ndotjes së ajrit. Përfitimet e ofruara nga ekosistemet natyrore nuk njihen dhe as nuk integrohen në politikat e zhvillimit. Në vend të kësaj, shumë habitate të vlefshme natyrore, duke përfshirë dhe lumenjtë, janë shumë të kërcënuar dhe ndikimi i investimeve të ndryshme strategjike në to kërkon një shqyrtim të kujdesshëm.

Për të nxitur përmirësimet mjedisore në rajon, në vitin 2020, vendet e Ballkanit Perëndimor nënshkruan Deklaratën e Sofjes dhe nisën zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Dy vjet më vonë, viti 2022, ende nuk ka efekte të prekshme pozitive të Axhendës së Gjelbër. “Ne mund të pajtohemi pjesërisht se nevojitet më shumë kohë për të vënë në lëvizje një mekanizëm të tillë, por jemi të dekurajuar edhe nga mungesa e zotërimit, e transparencës dhe e pjesëmarrjes së aktorëve përkatës nga sektorë të ndryshëm, përfshirë sektorin civil. Zbatimi efektiv i Axhendës së Gjelbër dhe Zgjidhja efektive e sfidave komplekse mjedisore kërkon shumë më tepër bashkëpunim në nivel kombëtar nëpër sektorë të ndryshëm si dhe ndërmjet qeverive në nivel rajonal”, thotë Goran Sekuliq nga WWF Adria.

Vitin e kaluar, Rrjeti Rajonal Mjedisor 27[1], u krijua nga gjashtë platforma kombëtare të shoqërisë civile nga Ballkani Perëndimor, duke u fokusuar në pranimin në BE në sektorin e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike.
Ekspertët e Rrjedit Rajonal Mjedisor i bëjnë thirrje qeverive të Ballkanit Perëndimor që të forcojnë bashkëpunimin në fushën e mjedisit, pasi shumë nga problemet mjedisore me të cilat po përballemi janë probleme rajonale. Ftojmë gjithashtu qeveritë të rrisin transparencën në zhvillimin dhe zbatimin e politikave dhe të mundësojnë pjesëmarrjen efektive të sektorit të shoqërisë civile. Si rrjet, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë në mënyrë aktive dhe të kontribuojmë në procesin e anëtarësimit në BE si në nivel kombëtar dhe rajonal dhe për të ndihmuar në zhvillimin e mekanizmave për të lejuar përfshirjen efektive të organizatave të shoqërisë civile në planifikimin dhe zbatimin e Axhendës së Gjelbër.

Shënim:
[1] Rrjeti Rajonal Mjedisor 27 bashkon gjashtë platforma të shoqërisë civile nga vendet e Ballkanit Perëndimor: Green 27 nga Shqipëria; Partneriteti 27 nga Bosnja dhe Hercegovina; Platforma 27 nga Maqedonia e Veriut dhe Koalicionet 27 nga Kosova, Serbia dhe Mali i Zi.

November 10, 2022