4ALL Konferenca Përmbyllëse

Projekti Turizmi i Aksesueshëm për të Gjithë (4ALL) ka dhënë një kontribut të veçantë në përmirësimin e aksesit ndaj trashëgimisë natyrore dhe kulturore në zonën ndërkufitare Greqi-Shqipëri, veçanërisht në qytetin e Beratit dhe në Parkun Kombëtar të Pindosit. Në zonën ndërkufitare, nevojitej prej kohësh një angazhim i veçantë për të adresuar mungesën e aksesit ndaj monumenteve të rëndësishme natyrore dhe kulturore.

Në këtë kontekst, u zhvilluan një sërë aktivitetesh dhe produktesh për të mbështetur përmirësimin e produkteve turistike dhe shërbimeve të lidhura me to, duke zhvilluar zonat e trashëgimisë dhe duke përmirësuar aksesueshmërinë e tyre për personat me aftësi të kufizuara dhe lëvizshmëri të reduktuar. Ndërhyrjet e bëra në Berat dhe Pindos synojnë t’i shndërrojnë këto dy zona me rëndësi të madhe kulturore dhe natyrore në destinacione model në rajon për turizmin e aksesueshëm, duke përmirësuar aksesin universal në infrastrukturë, shërbimet e komunikimit dhe informacionit, dhe së fundi duke kontribuar në ekonominë, përfshirjen sociale dhe qëndrueshmërinë e rajonit.

Këto veprime synojnë gjithashtu të tërheqin një segment të tregut të turizmit, i cili deri tani nuk është shërbyer siç duhet, por që gjithsesi është në zhvillim; atë të turistëve me aftësi të kufizuara dhe lëvizshmëri të reduktuar në përgjithësi, të cilët mund të shijojnë një eksperiencë të plotë dhe të paharrueshme turistike dhe të kontribuojnë edhe në ekonomitë vendase.

Karakteristikat e veçanta të zonës ndërkufitare dhe burimet e saj natyrore dhe kulturore justifikojnë vizionin për t’a kthyer këtë zonë në një destinacion tërheqës turistik për personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit. Duke pasur parasysh mungesën aktuale të standardeve kombëtare në këtë fushë, produktet e zhvilluara mbështesin të dy vendet për të siguruar akses në trashëgiminë e pasur natyrore dhe kulturore në nivel kombëtar.

Bashkia e Beratit ishte një nga bashkitë e para në Shqipëri që përfitoi nga një projekt i tillë, por shpresojmë të arrijmë të përhapim të njëjtin model të zbatuar në këtë bashki në të gjithë vendin, duke e paraqitur si një praktikë të mirë dhe të nevojshme që siguron aksesueshmëri për personat me aftësi të kufizuara dhe me lëvizshmëri të reduktuar.

July 13, 2022